Na ndiqni :

Ekonomia

Për 13 vjet, 14 shefa të Telekomit

Postuar


Disa nga punët e këtyre udhëheqësve kanë qenë zhvillimi strategjik i kompanisë, zbatimi i planeve për përmirësimin e performancës financiare si dhe arritja e rezultatit pozitiv financiar.

Gjatë kësaj javë është dorëhequr nga pozita e kryeshefit të Telekomit të Kosovës, Zeqir Kiqina. Në këtë pozitë, bordi i drejtorëve të kësaj kompanie ka emëruar si ushtrues detyre, Burbuqe Hanën.

Lamih Balaj, kryetar i Federatës Sindikale të Telekomit të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se ndryshimet e shpeshta që janë bërë në Telekomin e Kosovës, por edhe kërcënimet e vazhdueshme për falimentim, kanë penguar operimin e kompanisë.

“Faza më e keqe e Telekomit ka qenë kur ministra e kryeministra kanë thënë se Telekomi po falimenton dhe në këtë mënyrë e kanë dërguar drejt humnerës. Telekomi nuk mund të falimentojë nëse menaxhohet mirë, nëse ka bashkëpunim të mirë dhe nëse përgjegjësinë e merr qeveria. Nëse ‘dora e keqe’ largohet nga Telekomi, kjo kompani brenda një viti del nga kriza dhe brenda një viti e gjysmë është e gatshme të japë edhe dividendë për Kosovën”, thotë ai.

Dividendi është fitimi i kompanisë që duhet t’i dorëzohet pronarit, në këtë rast qeverisë.

Nga viti 2008 deri në vitin 2015, Telekomi i ka paguar Qeverisë së Kosovës mbi 250 milionë euro dividendë. Këto mjete, Qeveria e Kosovës i ka marrë nga Telekomi i Kosovës deri në vitin 2015, kur edhe ka filluar kriza financiare në Telekom.

Telekomi i Kosovës, dikur kompania më fitimprurëse në vend, është duke u përballur me një situatë të rënduar financiare si pasojë e kontratave të dëmshme, vendimmarrjes së gabuar, mungesës së investimeve, ndërhyrjes së politikës në vendimmarrje strategjike të kompanisë dhe nepotizmit.

Kjo kompani i ka borxh mbi 25 milionë euro kompanisë Z-Mobile për shkak të mospërmbushjes së një kontrate nga ana e Telekomit. Nga 15 janari i këtij viti, Telekomi është e obliguar që brenda 24 muajsh të shlyejë komplet borxhin ndaj kompanisë.

Menaxhimi jo i duhur në Telekomin e Kosovës ka munguar, thotë Balaj dhe sipas tij, në këtë mënyrë është rënduar situata financiare dhe gjendja e punëtorëve.

“Aspekti financiar e pengon operimin në punë. Tani e një kohë të gjatë për shkak të keqmenaxhimit, borxheve të mëdha, jemi obliguar t’i ulim pagat e punëtorëve dhe tani nuk po i marrin pagat me kohë”, thotë Balaj.

Për pesë vjet, 115 milionë euro humbje

Telekomi i Kosovës është kompani publike, e transformuar në shoqëri aksionare, në të cilën operon telefonia fikse dhe ajo mobile, Vala. Operatori Vala ka mbi 1.2 milion konsumatorë në nivel vendi. Në këtë kompani janë të punësuar rreth 2.500 punonjës.

Sipas një raporti të auditimit të bërë në vitin 2019 nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës, thuhet se kompania ka vazhduar trendin e operimit me humbje për pesë vjet radhazi.

Brenda pesë vjetëve, sipas raportit të auditorit, humbjet që ishin shënuar kapën vlerë e mbi 115 milionë eurove.

Kjo situatë, sipas auditorit, hedh dyshime të konsiderueshme në aftësinë e kompanisë për të vazhduar në vijimësi. Të hyrat e realizuara në Telekomin e Kosovës në vitin 2019 ishin në vlerë prej afër 55 milionë euro.

Në raportin e auditorit, po ashtu ishte theksuar se gjendja e platformave dhe sistemeve telekomunikuese vazhdon të jetë e rëndë.

Ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri thotë për Radion Evropa e Lirë se ndërrimet e shpeshta të bordeve e kryeshefave në Telekomin e Kosovës, e bën të pamundur daljen nga kriza të kësaj ndërmarrje.

Ai thotë se situata është pesimiste dhe se Qeveria e Kosovës do të duhej ta ndihmonte me mjete financiare këtë ndërmarrje.

“Telekomi i Kosovës ishte kompani fitimprurëse. Vetëm në vitin 2007 ishte konstatuar fitim në vlerë 120 milionë euro, prej të cilave 75 për qind ishin derdhur në buxhetin e Kosovës. Pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008 me keqmenaxhim e keqpërdorime, kompania ka ardhur në një pozitë që edhe nëse dëshirojmë ta shesim nuk e blen askush sepse është para falimentimit”, thotë Shatri.

Privatizimi i dështuar

Telekomi i Kosovës i është nënshtruar dy herë procesit të privatizimit, mirëpo asnjëri prej tyre nuk është finalizuar me sukses.

Në tetor të vitit 2011, ky proces ishte mbyllur i pasuksesshëm, pasi nga gara ishte tërhequr Telekomi kroat, meqë, siç thuhej, menaxherët e Postës dhe Telekomit të Kosovës dyshoheshin për korrupsion.

Në vitin 2013, Qeveria e Kosovës ka shpallur fituese në blerjen e 75 për qind të aksioneve të PTK-së kompaninë ‘Axos-Capital’, me një vlerë prej 277 milionë eurosh.

Por, më 31 dhjetor të vitit 2013, privatizimi është shpallur i dështuar, për shkak se shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës ishin kundër shitjes së 75 për qind të aksioneve të kësaj prone publike.

Komentet
VAZHDO TA LEXOSH
Advertisement

Ekonomia

​Qeveria parashikon rritje ekonomike 10 përqind, ekonomistët pesimistë

Postuar

Nga


Përkundër që me rishikim të buxhetit 2021 është paraparë norma e rritjes ekonomike 7.9 përqind, tashmë të dhënat e fundit zyrtare nga qeveria flasin për një rritje edhe më të lartë, deri në 10 përqind. Por njohës të ekonomisë vlerësojnë se mundësitë për realizimin e një norme të madhe ekonomike nuk ekzistojnë, veçse nëse ndodhin investime të mëdha miliardëshe. Po ashtu edhe FMN nuk ka paraparë një rritje më të madhe se 6 përqind.

Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli thotë për KosovaPress se projeksioni i rritjes ekonomike prej 7.9 përqind nga ana e Ministrisë së Financave është rritur edhe më tej.

Sipas saj, kjo ka ndodh për shkak se janë shënuar rezultate shumë më të mira sesa që janë pritur në të hyra buxhetore, qarkullim të bizneseve, eksport, import dhe konsum. Andaj shton se presin që rritja ekonomike sivjet të arrijë rreth 10 përqind

“Me kënaqësi e them që projeksioni i rritjes ekonomike prej 7.9 përqind nga ana e Ministrisë së Financave ndërkohë është rritur edhe më tej, tani më presim që rritja ekonomike të arrijë sipas projeksioneve gjithmonë, sivjet të arrijë 10 përqind. Ky është projeksioni i fundit, projeksioni mund edhe të ndryshojnë me kalimin e kohës derisa të dhënat rifreskohen. Arsyeja për këtë rifreskim kanë ndodhur përshak se në këta muaj të vitit që kanë kaluar ne kemi shënuar rezultate shumë më të mira sesa që kemi pritur edhe në eksport, në import, konsum edhe në qarkullimin e të firmave, të hyrave buxhetore të inkasuar, do të thotë të gjithë indikatorët që i kemi deri tani tregojnë që rimëkëmbja ekonomike do të jetë shumë më e shpejtë sesa që është pritur për këtë vit”, deklaron Rizvanolli.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka thekson për KosovaPress se projeksioni i rritjes ekonomike nga Qeveria mund të arrihet nëse nxiten aktivitetet ekonomike dhe investimet e huaja.

Përveç kësaj, Zeka thotë se kërkohen veprime konkrete nga qeveria, edhe për mbështetjen e vazhdueshme për ndërmarrjet të cilat kanë pësuar gjatë pandemisë Covid-19.

“Për mos tingëlluar pesimist gjithmonë është reale, gjithmonë është e mundur, por megjithatë duhet të shihet në veprime konkrete, dhe njëra prej këtyre veprimeve është përkrahja e vazhdueshme për ndërmarrjet të cilat janë goditur gjatë këtij viti të kaluar, por jo vetëm. Në të njëjtën kohë edhe përmirësimi i ofertës për investitorë të huaj. Gjetja e mënyrës dhe bindjes për investitorë nga diaspora që të investojnë në vendin tonë ashtu edhe investitorëve të tjerë të huaj në të njëjtën kohë, edhe krejt për fund meqenëse është aspekt i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik të vendit, është që edhe projektet e investimeve kapitale e infrastrukturore meqenëse këtu nuk ka pasur nga qeveria e re. Kështu që nëse kombinohen të gjitha këto elemente, rritja e aktivitetit ekonomik të sektorit të brendshëm, nxitja e investimeve të jashtme përfshirë këtu edhe investimet nga diaspora dhe vazhdimi i investimeve publike, atëherë natyrisht që kjo normë e rritjes ekonomike e paraparë nga qeveria nuk është diçka që nuk mund të arrihet”, thekson Zeka.

Edhe Visar Vokrri, drejtor programor në Institutin Riinvest nuk beson që ekonomia e Kosovës të rritet 8 përqind e më shumë.

Vokrri për KosovaPress ka thënë se vetëm projeksionet e FMN-së mund të jenë reale.

“Unë, nuk besoj që dikush mund të pret që ekonomia e Kosovës të rritet me 7 ose 8 përqind për këtë vit. I besoj më shumë institucioneve financiare ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar apo banka botërore. Kështu që pritjet e mia janë në linjë me këto projeksione. Po besoj që do të kemi rritje, rritja do të jetë rreth 4.5 përqind, të shohim deri në fund të viti, por gjithsesi se këto profesione janë të mbështetura në supozimin që nuk do të kemi masa të tjera restruktive apo mbyllje tjetër gjatë këtij viti të cilat të do mund ta pengonte rritjen”, thotë Vokrri.

Po ashtu edhe profesori universitar Musa Limani thotë se dëshira e qeverisë dhe të gjithëve është që të arrihet një normë sa më e lartë e zhvillimit ekonomik, por mundësitë për realizimin e asaj norme të madhe nuk ekzistojnë.

“Atë që e ka propozuar qeveria prej 7.9 përqind, unë mendoj se nuk mund të realizohet duke pasur parasysh gjendjen faktike të ekonomisë së Kosovës. Prandaj, lidhur me këtë do të thosha se dëshirat janë diçka tjetër kurse mundësitë janë diçka tjetër. Dëshira e të gjithë neve dhe qeverisë është që të realizojmë një normë sa më të lartë të zhvillimit ekonomi, mirëpo mundësitë për realizimin e një norme të madhe nuk ekzistojnë. Janë të përkufizuara. Për me arritur një dinamikë dhe normë të lartë të zhvillimit ekonomik nevojiten investime shumë të mëdha, do të thotë me miliarda… Sugjeroj që qeveria të orientohet kryesisht në tërheqjen e investimeve të huaja direkte”, shprehet Musa.

Ndërsa profesori tjetër universitar Muhamet Sadiku thotë se që të ketë vendi një normë kaq të madhe ekonomike, kërkohet një angazhim i jashtëzakonshëm i Qeverisë në aspektin ekonomik.

Sadiku shton se Kosova gjithnjë është e renditur në fundin e shteteve në Evropë për zhvillim ekonomik.

“Janë vlerësimet makro ekonomike se Kosova duhet të kaloj në mbi 7-8 përqind të rritjes ekonomike, mirëpo që të arrihet kjo kërkohet një angazhim i jashtëzakonshëm në qeverisëse për këto procese… Varfëria dhe papunësia janë armiqtë më të mëdhenj të zhvillimit ekonomik të Kosovës. Kosova ka nevojë që përfitimet ekonomike t’u shpërndahen të gjithëve, edhe atyre që janë në varfëri dhe të papunë”, thotë ai.

Në anën tjetër në FMN thonë se nisja e procesit të vaksinimit të qytetarëve në Kosovë kundër sëmundjes COVID-19 dhe ardhja e qytetarëve të cilët jetojnë jashtë vendit mund të çojë në rritje ekonomike deri në 6 për qind brenda vitit 2021.

 

Komentet
VAZHDO TA LEXOSH

Ekonomia

ATK-ja lejon konkurrencë të pabarabartë ndërmjet bizneseve, mbi 13 mijë sosh pa arka fiskale

Postuar

Nga


Administrata Tatimore e Kosovës ka ngecur në pajisjen e bizneseve me arka fiskale, gjë që ka quar në një konkurrencë jo të barabartë ndërmjet bizneseve që zhvillojnë aktivitete ekonomike, si dhe mundësinë e evazionit tatimor.

Edhe më tutje, po vazhdon të mbetet sfidë për ATK-në fiskalizimi i plotë i të gjitha bizneseve që i plotësojnë kriteret për fiskalizim.

Numri i bizneseve që nuk janë të fiskalizuara, mirëpo sipas legjislacionit në fuqi kërkohet të pajisen me arka fiskale, në fund të vitit 2020 ishte 13,802 sosh, shkruan .

Kjo është evidentuar në Raportin e Auditimit për Pasqyrat Financiare të ATK-së për vitin 2020, i cili është hartuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit.

Udhëzimi Administrativ nr. 02/2018 për shfrytëzimin e pajisjeve elektronike dhe sistemeve fiskale, specifikon se të gjithë personat që bëjnë furnizime të mallrave dhe/ose shërbimeve në objektet, njësitë ose vendet të cilat mund të jenë në qasje të publikut, janë të obliguar që të shfrytëzojnë pajisjet elektronike fiskale (PEF) dhe pajisjet tjera të obligueshme për regjistrimin dhe vërtetimin e furnizimit të mallrave dhe shërbimeve.

Më tutje, aty sqarohet se personi të cilit i referohet obligimi i përcaktuar dhe i cili njëkohësisht kryen edhe aktivitete që nuk janë të përjashtuara ose të liruara nga detyrimi i regjistrimit përmes arkës fiskale dhe të transferimit të të dhënave përmes terminalit te serveri i ATK-së, do të jetë i obliguar që çdo qarkullim individual gjatë kryerjes së këtyre aktiviteteve të regjistrojë përmes arkës fiskale si dhe t’i transferojë të dhënat përmes terminalit në server të ATK-së.

Auditori ka theksuar se, sipas zyrtarëve përgjegjës, ATK në vazhdimësi ka pasur probleme në realizmin e këtij projekti duke pasuar parasysh rrethanat dhe ekonominë e Kosovës dhe rezistencën e vazhdueshme të bizneseve për pajisjen me arka fiskale. Ndërkaq në vitin 2020, situata me pandeminë veçse e ka rënduar edhe më shumë këtë proces.

“Mos pajisja e tatimpaguesve me PEF e rrit rrezikun për mungesën e informatave gjatë veprimtarive ekonomike si dhe mundësinë e evazionit tatimor. Gjithashtu, kjo rezulton me një konkurrencë jo të barabartë ndërmjet bizneseve që zhvillojnë aktivitete ekonomike”, ka theksuar auditori, i cili i ka rekomanduar drejtorit të përgjithshëm se duhet të sigurojë se të gjitha bizneset të cilat i plotësojnë kriteret për fiskalizim do të pajisen me pajisjet elektronike fiskale (PEF) konform kërkesave ligjore.

Komentet
VAZHDO TA LEXOSH

Ekonomia

SHSKUK vë në rrezik jetën e qytetarëve, të cilët mund të kërcënohen nga vala e tretë e pandemisë

Postuar

Nga


Brenda pak ditëve shpenzohet e gjithë kontrata që Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës – SHSKUK e ka me një kompani private për të furnizuar spitalet me oksigjen dhe ky institucion nuk po e sheh të nevojshme lidhjen e një kontrate të re.

Në fakt, kur rastet e përhapjes me COVID-19 ishin shumë të larta, SHSKUK hapi një tender të vlerës së madhe për furnizim me oksigjen. Pasi nxori një fitues të tenderit, ky institucion e anuloi procesin pas pak jave, menjëherë kur rastet e infektimit ranë në Kosovë. Arsyetimi i anulimit ishte se nuk ka shumë nevojë për oksigjen. Por, anulimi i tenderit po vlerësohet që u bë në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, shkruan . Madje, kontrata e vjetër është më e shtrenjtët se e reja për rreth 30 për qind.

Fillimisht, më 31 mars 2021, SHSKUK ka bërë njoftim për kontratë “Furnizim me Oksigjen Medicional për nevojat e SHSKUK-së”. Hapja e tenderit është bërë më 26 prill, ndërsa themelimi i komisionit me datë 17 maj, ani pse me ligj është e përcaktuar që themelimi i komisionit duhet të bëhet brenda pesë ditëve, ai është themeluar pas më shumë se 20 ditësh. Bile për këtë prokurim është përdorur procedurë e shkurtuar.

Kanë garuar tri kompani, “Medical Group” SHPK, çmimi me tvsh 1976000,00 euro, “Liri-Med” SHPK, çmimin me tvsh 2392000.00 euro, “Medica” Shpk, çmimi me tvsh 192400,00 euro.

Është zbatuar procedurë e hapur dhe vlera e parashikuar e kontratës ka qenë 2, 444, 000.00 euro për 24 muaj.

Më 15 maj është rekomanduar për kontratë kompania “Medica”, pasi kishte çmimin më të lirë dhe u vlerësua e përgjegjshme.

Më 15 qershor, prokurimi ka bërë njoftim për anulimin e procedurës së prokurimit.

Në arsyetimin e anulimit është shkruar se: “Në bazë të kërkesës Nr. 4195 të datës 14.06.202, të dërguar përmes ZKA-së nga njësia kërkuese Barnatorja Qendrore, me të cilën njofton për gjendjen momentale të shpenzueshëmris së oksigjenit medicinal në SHSKUK. Ndër të tjera specifikohet se pas zvogëlimit të rasteve të infektimit me COVID-19, është zvogëluar shpenzushëmria e oksigjent medecinal, rrjedhimisht është zvogëluar kërkesa për oksigjen medicinal nga njësit e SHSKUK-së. Me të njëjtën shkresë kërkohet nga sektori i prokurimit që të ndërpritet procedura ekzistuese, në mënyrë që të rishqyrtohet sasia e oksigjenit sipas gjendjes reale. Në bazë të arsyetimit të lartcekur konsiderojmë se plotësohen kushtet e nenit 62.1.1 të LPP-së, me të cilin ky aktivitet i prokurimit “Furnizim me Oxygen”.

Medicinal për nevojat e SHSKUK-së me nr. 00220-21-1709-1-1-1 si dhe me numër të brendshëm 220-21-036-1-1-1” anulohet”.

ka mësuar se kontrata e lidhur më kompaninë “Medical Group”  në vitin e kaluar për furnizim me oksigjen është shpenzuar 100 për qind, por kontrata ka qenë me mundësi devijimi për 30 për qind, dhe aktualisht është rreth 110 për qind  e shfrytëzuar.

Sipas një kalkulimi të kontratës së kaluar, çmimit të ofertës së fundit që është anuluar dhe nevojave momentale të SHSKUK-së, del që spitalet po furnizohen me oksigjen për 30 për qind më shtrenjtë se sa parashihte kontrata e re.

Nga momenti kur ka mundur të nënshkruhet  kontrata deri më tani janë pranuar rreth 170,000 litra oksigjen, ku çmimi me kontratën aktuale është 0.47 centë, kurse me ofertën e re 0.37.  D.m.th dallim ne total për këtë periudhe është rreth 17,000 mijë euro më shumë të paguara.

Megjithatë, bazuar në dokumentet e publikuara në E-prokurim , pas anulimit të aktivitetit të prokurimit, më datë 8 korrik kompania e rekomanduar për kontratë “Medica”  ka parashtruar ankesë në OSHP kundër vendimit për anulimin e aktivitetit të prokurimit, pasi i ishte refuzuar kërkesa për rishqyrtim nga SHSKUK. Kompania ka pretenduar që janë shkelur një sërë nenesh të Ligjit të Prokurimit Publik. Eksperti i OSHP-së e ka shoshitur ankesën dhe i ka dhënë të drejtë kompanisë ankuese thuajse në të gjitha pikat, dhe ka rekomanduar Panelin e OSHP-së që kjo lëndë të kthehet në rivlerësim, pasi ka konsideruar se anulimi nuk është bërë mbi arsyshmërinë e LPP-së.

Fillimisht, eksperti shqyrtues ka gjetur se komisioni i vlerësimit nuk e ka nënshkruar raportin e vlerësimit, kur ka nxjerrë fituesin, gjë për të cilën ka bërë shkelje.

Eksperti po ashtu shkruar në raport se prokurimi i këtij institucioni nuk e ka ngritur në E-prokurim vendimin dhe letrën standarde për tenderues dhe kjo përbën shkelje të nenit 54 të LPP-së, sipas të cilit AK-ja obligohet që pas vlerësimit t’i njoftojë të gjitha kompanitë pjesëmarrëse në një aktivitet të prokurimit për rezultatin e vlerësimit.

Eksperti shqyrtues sqaron se përfundimi i një aktiviteti të prokurimi parashihet në nenin 62 të LPP-së, dhe se lidhur më këtë anulim nuk janë përmbushur kushtet e parapara në paragrafin 1 dhe 2 të këtij neni.

“1. Autoriteti kontraktues mund të përfundojë atë aktivitet të prokurimit i cili nuk do të rezultojë në dhënien e kontratës vetëm për njërën nga arsyet: 1.1. një shkelje e ligjit aktual ka ndodhur apo do të ndodh në procedurën e prokurimit, e cila nuk mund të rregullohet apo të parandalohet përmes një amendamenti ligjor të kushteve të prokurimit, duke përfshirë edhe rastet ku një dispozitë e këtij ligji kërkon anulimin e aktivitetit të prokurimit 1.2. të gjithë tenderët e përgjegjshëm përmbajnë çmime që në masë substanciale e tejkalojnë buxhetin e autoritetit kontraktues për aktivitetin e prokurimit; apo 1.3. para hapjes së tenderëve, ndërprerja e aktivitetit të prokurimit është bërë e nevojshme për shkak të ngjarjeve objektive dhe që mund të demonstrohen dhe/ose arsyeve që janë jashtë kontrollit të autoritetit kontaktues dhe që nuk mund të parashikoheshin në kohën e inicimit të aktivitetit të prokurimit. 2. Kur njoftimi i kontratës është publikuar dhe procedura e prokurimit është anuluar pa dhënien e kontratës publike, autoriteti kontraktues duhet që të publikojë njoftimin e anulimit në formën dhe përmbajtjen e informatave përcaktuar nga KRPP-ja, dhe (ii) të përfshijë në të dhënat e prokurimit të kërkuara nga paragrafi 1. i nenit 10 të këtij ligji, një deklaratë me shkrim që parashtron me hollësi arsyet faktike dhe bazën ligjore për anulimin”, thuhet në nenin 62 të LPP-së.

ka dërguar disa pyetje në adresë të SSHKUK-së, lidhur më këtë proces, ku ndër tjera ka kërkuar të marrë informacion edhe se si do të procedojë ky institucion tash kur kontrata e vjetër do të shpenzohet, por ata nuk kanë kthyer përgjigje deri më tani.

Jo zyrtarisht është mësuar se SHSKUK, pritet të procedojë më procedurë të negociuar, por do të kërkojë sasi më të vogla për oksigjen.

Para pak ditëve, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia u kishte bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen kundër koronavirusit, duke thënë se, ‘ekspertët vlerësojnë se në vjeshtë pritet të ketë valë të re të pandemisë COVID-19’. Këto deklaratë ai e kishte bërë në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, pasi mori dozën e parë të vaksinës AstraZeneca.

“Vjeshta duhet të na gjejë me sa më shumë qytetarë të vaksinuar. Është e vetmja mënyrë dhe me siguri se edhe nëse paraqitet një valë e re deri në vjeshtë, e që sipas ekspertëve është pothuajse e pashmangshme, vetëm të vaksinuar ruajmë shëndetin e njëri-tjetrit, shëndetin ekonomik, social, ruajmë mirëqenien tonë”, ka deklaruar ministri Vitia.

Megjithatë, oksigjeni nuk nevojitet vetëm për pacientët me COVID-19, por edhe për pacientët e tjerë, të cilët kanë probleme të ndryshme shëndetësore.

Në nëntor 2020 ishte anuluar njoftimi për kontratë për furnizim me oksigjen medicinal në SHSKUK për shkak se nuk kishte asnjë ofertues. Ky institucion i kishte kërkuar ndihmë Qeverisë.

Vlera e parashikuar e kësaj kontrate ishte mbi 2.2 milionë euro me afat për 12 muaj. Por asnjë nga operatorët ekonomikë të licencuar për furnizim me oksigjen medicinal në Kosovë, nuk kishte dorëzuar ofertë në SHSKUK.

QKUK-së kishte kërkuar ndihmë Qeverisë përmes Ministrisë së Shëndetësisë, për ta zgjidhur problemin e mungesës së oksigjenit.

Më pas, SHKUK kishte arritur të lidhë një kontratë me procedurë të hapur me kompaninë “Medica Group”.

Komentet
VAZHDO TA LEXOSH

Trendet e Momentit