Na ndiqni :

Ekonomia

Zgjatja e orarit dhe fluksi i madh i mërgimtarëve, pritet ta ringjallin ekonominë

Postuar


Zgjatja e orarit të punës për disa sektorë po mirëpritet, kjo sipas përfaqësuesit të sektorit të hotelerisë dhe ekspertit të ekonomisë, ka ardhur në momentin e duhur pasi numri i mërgimtarëve që po kalojnë pushimet në Kosovë është i lartë në këtë periudhë.

Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, Hysen Sogojeva, në një bisedë me Ekonomia Online, tha se interesimi i madh i qytetarëve për të organizuar ahengje familjare, po vazhdon edhe tani.Sipas tij, tani me ardhjen e mërgimtarëve janë rritur kërkesat, dhe gjendja në këtë sektor është më e mirë.

“Ardhja e mërgimtarëve është një infuzion i madh, prandaj ata janë shumë të mirëseardhur këtu, po ashtu edhe kemi përshëndet dehe shtimin e buxhetit prej 220 në 400 e diçka milionë. Por unë kërkojë si kryetar t Odës që sa më parë të shpërndahen për arsye se për m’i funksionalizuar këtu hotele dhe këtë veprimtari duhen mjete. P.sh një pishinë me lëshua rreth 20 mijë euro kushton”.

Mirëpo, Sogojeva ka kritika për punën e inspektoratit, që sipas tij që nga ndryshimi i masave, këta zyrtarë i kanë tejkaluar kompetencat e tyre.

Megjithatë, Sogojeva ka një kërkesë për Qeverinë. Ai kërkon që ekzekutivi të fillojë sa më shpejt shpërndarjen e mjeteve të pakos për ringjallje ekonomike.

“E para është plotësua një kërkesë ë kamotshme, pas masave që i patëm të parafundit. Kështu që ne ia arritëm bashkëpunim me MSh-në që ta sjellim këtë vendim, dhe ne jemi shumë të kënaqur me këtë vendim, pavarësisht që e mira nuk ka kufi, por megjithatë me pandeminë që e kemi është mirë. Kemi informacione që gjithçka është duke shkuar mirë, edhe ahengjet. Në bazë të asaj që ka shumë interesime po na shkruajnë, e po na thirrin, edhe interesimi është shumë i madh”.

“Vendimi është shumë i qartë, prandaj unë apeloj shumë tek ministrat përkatës të ndikojnë te Inspektorati pasi janë duke i kalua kompetencat. Shfrytëzoj që të mos i kalojnë kompetencat, por të punojnë vetëm sipas rregullave. Kemi informacione që dy ditë e fundit i kanë kalua kompetencat, pra mos të ndodhë që të bëjmë reagime pa nevojë”.

Në anën tjetër njohësi i çështjeve ekonomike, Erton Bega, po ashtu e cilëson si shumë të rëndësishme ndikimin e mërgimtarëve në vendin tonë, e sidomos pas një vështirësie ekonomike nga pandemia.Tutje, ai thotë se në mënyrë të drejtpërdrejtë vendit tonë, mërgata i sjell të hyra me 2 miliardë euro.

“Mërgimtarët kanë një ndikim jashtëzakonisht në ekonominë e Kosovës, sepse janë shtyllë e ekonomisë sepse më shumë se 20% e bruto produktit vendor është e ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë prej tyre, përmes remitancave që i dërgojnë dhe cilat priten të arrijnë vlerën prej një miliardë eurove këtë vit dhe po ashtu përmes parave që i sjellin të gatshme, që vlerësohen të jenë në një miliardë euro. Pra në total ndihmojnë në ekonomi me 2 miliardë euro, dhe ardhja e tyre është me rëndësi për ekonominë”, tha Bega.

Mes tjerash ai thekson se ardhja e tyre këtë vit me një fluks tejet të madh i japin një ringjallje ekonomisë në vend, dhe një ndihmë tejet të madhe bizneseve në vend.“Ardhja e tyre në një fluks tejet të madh, jo duke krahasuar me vitin e kaluar, por një vit më herët do të sjell efekte të shumë anshme pozitive në ekonomi duke qenë që vitin e kaluar në përgjithësi ekonomia ishte e mbyllur dhe me kufizime, ndërsa tash kemi një lehtësim të masave edhe pse nuk ka ardhur në nivelin e duhur, por që kjo do ndihmojë edhe këto biznese që të marrin veten gradualisht dhe të vazhdojnë me investime të tyre. Efektet tjera që do sjellë edhe qarkullim të parave, dhe të ringjallet ekonomia”, theksoi tutje ai.

Si përfundim, Bega tha se është pozitiv vendimi për zgjatjen e orarit të gastronomisë, por e pakuptimtë që të kufizohen ditëve të tjera.“Është pozitive vendimi që në vikend i kanë zgjatur orarin gastronomisë, por është i pakuptimtë për arsye se i kufizon ditët e tjera, dhe mendoj që ka ardhur momenti që këto kufizime të largohen”, përfundoi ai.

Komentet
VAZHDO TA LEXOSH
Advertisement

Ekonomia

Bankat islame në Kosovë pa kamata, por jo pa fitime

Postuar

Nga


Zyrtarë të kësaj banke pranojnë se “Start” dhe “TIMI Invest” janë të regjistruara si institucione që ofrojnë shërbime financiare islame. Njëri ka licencë të funksionojë si institucion mikrofinanciar (IMF) dhe tjetri si institucion financiar jobankar (IFJB).

“Ato janë regjistruar, kanë licencë për të kryer veprimtarinë e kredidhënies dhe praktikojnë shërbime financiare me parime islame”, thuhet në një përgjigje të BQK-së.

Numri aktual i klientëve në “Start” dhe “TIMI Invest” është mbi 700, derisa vlera e kredive të mbetura arrin në mbi pesë milionë euro.

Edhe institucioni jobankar “Pro Finance Home” është i licencuar në BQK, por nuk specifikohet që ofron sherbime financiare islame. Megjithatë, njëri nga aksionarët e këtij institucioni, Vedat Salihu, konfirmon për Radion Evropa e Lirë se edhe ata merren me shërbime financiare islame.

Institucionet mikrofinanciare (IMF), veprimtari primare e kanë dhënien e kredive dhe ofrimin e një numri të kufizuar të shërbimeve financiare. Kurse, institucioni financiar jobankar (IFJB) është i angazhuar në dhënien e kredive, hyrjen në hua dhe kontrata qiradhënieje financiare – lizingu, në nënshkrimin, tregtimin, ndërmjetësimin ose shpërndarjen e letrave me vlerë.

Qëllimet e këtyre institucioneve

Institucioni mikrofinanciar “Start” është themeluar dhe regjistruar në BQK në vitin 2002. Informacionet mbi këtë institucion janë të pakta në internet. Në rrjetin social Facebook, institucioni në fjalë nuk ka informacione për qëllimin dhe veprimtarinë, ndërsa faqja zyrtare nuk i funksionon. “Start” është i regjistruar si institucion mikrofinaciar me kapital të huaj.

Sipas Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, ky institucion ka 498 kredimarrës me mbi 2.7 milionë euro kredi të mbetura.

Përpjekjet e Radios Evropa e Lirë që të kontaktojë ndonjë zyrtarë të këtij institucioni, kanë rezultuar pa sukses.

Institucioni tjeter “TIMI Invest”, siç thuhet në faqen e tij zyrtare, ka për qëllim të ndërtojë dhe mirëmbajë teknikat moderne të bankimit pa kamata, të sigurojë një sistem transparent zhvillimor dhe “të bëhet organizatë e fuqishme”. “TIMI Invest”, sipas BQK-së, ka pasur 221 kredimarrës më shumë të mbetur të kredisë, me mbi 2.6 milionë euro.

Nexhemdin Kahrimani, pronar i këtij institucioni jobankar, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë pranon se bankimi është pa kamatë, por jo pa fitim.

Sipas tij, kamata krijohet nga shitja e parave si “mall”. Ndërsa, nga shitblerja e një malli të cilin institucioni (në këtë rast “TIMI Invest”) e blen me çmimin e shumicës, kur ky produkt shitet me pakicë, me një çmim më të lartë, krijohet fitimi. Ky financim quhet kreditim pa kamatë.

Fondi i këtij institucioni është privat dhe vendor. Shpenzimet e institucionit mbulohen nga shitblerja e mallrave të ndryshme në treg. Diferenca, e cila krijohet nga çmimi i shumicës me çmimin e pakicës, është fitimi i këtij institucioni, shpjegon Kahrimani.

Institucioni i tretë, “Pro Finance Home”, është institucion financiar jobankar në Kosovë, i cili është licencuar nga BQK-ja në vitin 2018, me kapital privat nga Kosova dhe ofron produkte dhe shërbime financiare për qytetarët, pa dallim përkatësie racore, etnike, fetare, politike, etj., thuhet në faqen zyrtare të këtij institucioni.

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës i monitoron të gjitha institucionet financiare që janë të licencuara.

Dy institucione mikrofinanciare nuk u japin para të gatshme klientëve, por bëjnë pagesën direkt te xhirollogaria e shitësit për produktin e blerë nga klienti. Për një produkt, për shembull, me çmim prej 1,000 eurosh për një vit, klienti duhet të paguajë 80 deri në 90 euro më shumë, apo 8-9% të shumës.

Islam Hasani, profesor në Kolegjin ELSG, njëherësh autor i librit “Ekonomia dhe Bankimi Islam”, i botuar në vitin 2013, thotë se bankat islame punojnë pa kamatë, por nuk punojnë pa fitim. Këto institucione, sipas tij, kanë forma të tjera të fitimit.

“Bëjnë një fitim, por fitimi është i paracaktuar në përqindje të ndarjes së fitimit, por jo i paracaktuar paraprakisht si formë interesi”, thekson Hasani.

Si e rregullon ligji bankimin islam në Kosovë?

Financimi islam ose veprimtaria bankare islame është e përcaktuar me dispozita ligjore në Kosovë. Në njërin nga paragrafët e Ligjit për Bankat, Institucionet Mikrofinnaciare dhe Institucionet Financiare Jobankare thuhet se “financimi islam ose veprimtaria bankare islame realizohet me pëlqim të BQK-së dhe, sipas këtyre kushteve dhe në pajtueshmëri me rregulloret që mund të përcaktohen nga BQK-ja, mund të autorizohen për t’u angazhuar edhe në veprimtarinë bankare islame”.

“Përveç kësaj dispozite, BQK-ja nuk na nxjerr ndonjë instrument tjetër rregullator, që e rregullon veprimtarinë financiare sipas rregullave islame”, thuhet në përgjigje të BQK-së.

Në këtë ligj po ashtu thuhet se banka islame është lloj banke që kryen veprimtari bankare sipas parmeve të Sheriatit [v.j. ligjit islamik] dhe duke iu nënshtruar parimeve të këtij ligji dhe rregulloreve të nxjerra nga BQK-ja. “Pika e shërbimit islam bankar” i referohet një departamenti ose divizioni të një banke joislame, e cila ofron shërbime financiare sipas parimeve të Sheriatit.

Sheriati është një kod ligjor, që bazohet në Kuran dhe shkrime të tjera islame.

Ligji i Sheriatit është kundër kamatës, sepse, sipas pikëpamjeve fetare islame, kamata konsiderohet e ndaluar (haram), por nuk është kundër fitimit, thotë Ismail Hasani, sociolog i religjionit.

Ai shton se në vendet ku Sheriati është Ligj Suprem, është e natyrshme që institucionet të operojnë në këtë mënyrë, por Kosova, në bazë të Kushtetutës, është shtet laik.

“Të jetonim në një shtet në të cilin operon Sheriati, përgjigjja do të ishte shumë e qartë dhe nuk do të kishte asnjë dilemë që është e drejtë legjitime e këtyre institucioneve që të operojnë në bazë të Ligjit të Sheriatit. Por, meqë jetojmë në një shtet laik dhe sistemi bankar është i konsoliduar, këtu ka etnitete komerciale të licencuara nga BQK-ja, atëherë është e çuditshme se si bankat e tilla, të cilat në shumicën e rasteve janë fantome, mund të operojnë”, thotë Hasani.

Në anën tjeter, Hashim Rexhepi, profesor në kolegjin privat UBT, thotë se Banka Qendrore e Republikës se Kosovës duhet gjithsesi të krijojë dispozita ligjore për operimin e institucioneve jobankare, me parimin islam.

Rexhepi, i cili ka qenë edhe ish-guvernator në BQK, thotë se bankimi islam i ka specifikat e veta dhe rregullohet ndryshe nga bankimi tradicional apo kontinental.

“Bankimi islam duhet të rregullohet me dispozita të veçanta. Pastaj, duhet të aftësohet stafi mbikëqyrës i BQK-së që të mund të mbikëqyrë funksionimin e bankimit islam. Përderisa nuk ka rregullore apo dispozita në ligj, atëherë është e pamundur të funksionohet me parimet e bankimit islam në Kosovë”, thotë Rexhepi.

Në Kosovë funksionon edhe Asociacioni i Institucioneve Mikrofinanciare (AMIK). Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë thuhet se në rrjetin AMIK, nuk është anëtar asnjë institucion mikrofinanciar që brendohet si “mikrofinancë islame”. /REL

Komentet
VAZHDO TA LEXOSH

Ekonomia

Prezantohet masa 1.2: Mbështetja për të punësuarit e formalizuar të Pakos së ringjalljes ekonomike

Postuar

Nga


Ministri i Financave, Punёs dhe Transfereve Hekuran Murati sot ka marrë vendim për përcaktimin e kritereve dhe kushteve lidhur me operacionalizimin e masës 1.2 Mbështetja për të punësuarit e formalizuar të Pakos së ringjalljes ekonomike.

Njëra ndër masat kryesore të pakos është formalizimi i ekonomisë dhe mbështetja e të punësuarve. Për më tepër, kjo masë shërben si një tjetër instrument në luftimin e efekteve negative të pandemisë, e cila qartazi ka vënë në pah rëndësinë e formalizimit dhe pagimit të kontributeve pensionale.

Përmes masës 1.2, secilit prej të punësuarve të rinj do t’u paguhen kontributet pensionale në vlerë 10% të pagës bruto, duke filluar nga korriku 2021 e deri në qershor 2022. Kusht për subvencionim është që punëtori të mos figurojë si i punësuar në deklaratën e muajit qershor 2021.

Për të përfituar nga subvencioni, punëtorët e ri duhet të deklarohen nga punëdhënësi në deklaratën e rregullt mujore që dorëzohet në sistemin elektronik EDI të ATK-së, duke filluar nga data 1 gusht 2021 (për periudhën tatimore korrik 2021). Pasi të jetë bërë deklarimi, punëdhënësi duhet të plotësojë formularin për subvencionim, po ashtu përmes sistemit EDI.

Aplikimi për subvencion nga Masa 1.2 do të mund të bëhet deri më datë 15.10.2021. Për hapjen dhe udhëzuesin e aplikimit, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve do të njoftojë publikun gjatë ditëve në vijim, thuhet në komunikatë.  

Komentet
VAZHDO TA LEXOSH

Ekonomia

​Qeveria parashikon rritje ekonomike 10 përqind, ekonomistët pesimistë

Postuar

Nga


Përkundër që me rishikim të buxhetit 2021 është paraparë norma e rritjes ekonomike 7.9 përqind, tashmë të dhënat e fundit zyrtare nga qeveria flasin për një rritje edhe më të lartë, deri në 10 përqind. Por njohës të ekonomisë vlerësojnë se mundësitë për realizimin e një norme të madhe ekonomike nuk ekzistojnë, veçse nëse ndodhin investime të mëdha miliardëshe. Po ashtu edhe FMN nuk ka paraparë një rritje më të madhe se 6 përqind.

Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli thotë për KosovaPress se projeksioni i rritjes ekonomike prej 7.9 përqind nga ana e Ministrisë së Financave është rritur edhe më tej.

Sipas saj, kjo ka ndodh për shkak se janë shënuar rezultate shumë më të mira sesa që janë pritur në të hyra buxhetore, qarkullim të bizneseve, eksport, import dhe konsum. Andaj shton se presin që rritja ekonomike sivjet të arrijë rreth 10 përqind

“Me kënaqësi e them që projeksioni i rritjes ekonomike prej 7.9 përqind nga ana e Ministrisë së Financave ndërkohë është rritur edhe më tej, tani më presim që rritja ekonomike të arrijë sipas projeksioneve gjithmonë, sivjet të arrijë 10 përqind. Ky është projeksioni i fundit, projeksioni mund edhe të ndryshojnë me kalimin e kohës derisa të dhënat rifreskohen. Arsyeja për këtë rifreskim kanë ndodhur përshak se në këta muaj të vitit që kanë kaluar ne kemi shënuar rezultate shumë më të mira sesa që kemi pritur edhe në eksport, në import, konsum edhe në qarkullimin e të firmave, të hyrave buxhetore të inkasuar, do të thotë të gjithë indikatorët që i kemi deri tani tregojnë që rimëkëmbja ekonomike do të jetë shumë më e shpejtë sesa që është pritur për këtë vit”, deklaron Rizvanolli.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka thekson për KosovaPress se projeksioni i rritjes ekonomike nga Qeveria mund të arrihet nëse nxiten aktivitetet ekonomike dhe investimet e huaja.

Përveç kësaj, Zeka thotë se kërkohen veprime konkrete nga qeveria, edhe për mbështetjen e vazhdueshme për ndërmarrjet të cilat kanë pësuar gjatë pandemisë Covid-19.

“Për mos tingëlluar pesimist gjithmonë është reale, gjithmonë është e mundur, por megjithatë duhet të shihet në veprime konkrete, dhe njëra prej këtyre veprimeve është përkrahja e vazhdueshme për ndërmarrjet të cilat janë goditur gjatë këtij viti të kaluar, por jo vetëm. Në të njëjtën kohë edhe përmirësimi i ofertës për investitorë të huaj. Gjetja e mënyrës dhe bindjes për investitorë nga diaspora që të investojnë në vendin tonë ashtu edhe investitorëve të tjerë të huaj në të njëjtën kohë, edhe krejt për fund meqenëse është aspekt i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik të vendit, është që edhe projektet e investimeve kapitale e infrastrukturore meqenëse këtu nuk ka pasur nga qeveria e re. Kështu që nëse kombinohen të gjitha këto elemente, rritja e aktivitetit ekonomik të sektorit të brendshëm, nxitja e investimeve të jashtme përfshirë këtu edhe investimet nga diaspora dhe vazhdimi i investimeve publike, atëherë natyrisht që kjo normë e rritjes ekonomike e paraparë nga qeveria nuk është diçka që nuk mund të arrihet”, thekson Zeka.

Edhe Visar Vokrri, drejtor programor në Institutin Riinvest nuk beson që ekonomia e Kosovës të rritet 8 përqind e më shumë.

Vokrri për KosovaPress ka thënë se vetëm projeksionet e FMN-së mund të jenë reale.

“Unë, nuk besoj që dikush mund të pret që ekonomia e Kosovës të rritet me 7 ose 8 përqind për këtë vit. I besoj më shumë institucioneve financiare ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar apo banka botërore. Kështu që pritjet e mia janë në linjë me këto projeksione. Po besoj që do të kemi rritje, rritja do të jetë rreth 4.5 përqind, të shohim deri në fund të viti, por gjithsesi se këto profesione janë të mbështetura në supozimin që nuk do të kemi masa të tjera restruktive apo mbyllje tjetër gjatë këtij viti të cilat të do mund ta pengonte rritjen”, thotë Vokrri.

Po ashtu edhe profesori universitar Musa Limani thotë se dëshira e qeverisë dhe të gjithëve është që të arrihet një normë sa më e lartë e zhvillimit ekonomik, por mundësitë për realizimin e asaj norme të madhe nuk ekzistojnë.

“Atë që e ka propozuar qeveria prej 7.9 përqind, unë mendoj se nuk mund të realizohet duke pasur parasysh gjendjen faktike të ekonomisë së Kosovës. Prandaj, lidhur me këtë do të thosha se dëshirat janë diçka tjetër kurse mundësitë janë diçka tjetër. Dëshira e të gjithë neve dhe qeverisë është që të realizojmë një normë sa më të lartë të zhvillimit ekonomi, mirëpo mundësitë për realizimin e një norme të madhe nuk ekzistojnë. Janë të përkufizuara. Për me arritur një dinamikë dhe normë të lartë të zhvillimit ekonomik nevojiten investime shumë të mëdha, do të thotë me miliarda… Sugjeroj që qeveria të orientohet kryesisht në tërheqjen e investimeve të huaja direkte”, shprehet Musa.

Ndërsa profesori tjetër universitar Muhamet Sadiku thotë se që të ketë vendi një normë kaq të madhe ekonomike, kërkohet një angazhim i jashtëzakonshëm i Qeverisë në aspektin ekonomik.

Sadiku shton se Kosova gjithnjë është e renditur në fundin e shteteve në Evropë për zhvillim ekonomik.

“Janë vlerësimet makro ekonomike se Kosova duhet të kaloj në mbi 7-8 përqind të rritjes ekonomike, mirëpo që të arrihet kjo kërkohet një angazhim i jashtëzakonshëm në qeverisëse për këto procese… Varfëria dhe papunësia janë armiqtë më të mëdhenj të zhvillimit ekonomik të Kosovës. Kosova ka nevojë që përfitimet ekonomike t’u shpërndahen të gjithëve, edhe atyre që janë në varfëri dhe të papunë”, thotë ai.

Në anën tjetër në FMN thonë se nisja e procesit të vaksinimit të qytetarëve në Kosovë kundër sëmundjes COVID-19 dhe ardhja e qytetarëve të cilët jetojnë jashtë vendit mund të çojë në rritje ekonomike deri në 6 për qind brenda vitit 2021.

 

Komentet
VAZHDO TA LEXOSH

Trendet e Momentit